Shpallje

SEMS

FIEK - atëherë dhe tani

Prof
 
  Kam nder të veçantë dhe privilegj të jashtëzakonshëm të jem dekan i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike dhe të kam rastin të ju drejtohem sot të nderuar të pranishëm, me rastin e kremtimit të 50 vjetorit të themelimit të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, me temën e titulluar“FIEK- atëherë dhe tani”, duke shikuar prapa në 50 vitet e kaluara dhe duke reflektuar ku gjendemi sot dhe ky synojmë të jemi në të ardhmen.
 
  
     Viti 2011 shënon 50 vjetorin e Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike. Me një seri aktivitetesh festive me karakter akademik të zhvilluara për këtë jubile, ne përkujtojmë të arriturat dhe kontributet e Fakultetit në të shkuarën dhe në të njëjtën kohë zotohemi për përkushtimin tonë për ardhmen.
 
   Fakulteti ynë ka kaluar rrugë të gjatë që nga themelimi i Shkollës së Lartë Teknike në vitin 1961, dhe së bashku me shoqërinë kosovare është rritur, zhvilluar dhe ka pësuar rënie në periudha të caktuara. Por, përkundër tronditjeve dhe rreziqeve për ekzistencë gjatë këtyre viteve, fakulteti është ngritur dhe zhvilluar për tu bërë sot njëri nga fakultete më të dalluara jo vetëm në Universitetin e Prishtinës, por edhe në regjion dhe më gjerë, gjithnjë bazuar në vlerësimet e ekspertëve ndërkombëtar.
 
   Arsimimi në fushën e inxhinierisë është çelës i inovacioneve teknologjike, dhe katalizator të rritjes ekonomike në shoqërinë bashkëkohore. Qasja jonë fokusohet në shpërndarjen dhe kultivimin e mendimit kritik, kreativitetin, vizionin global, njohuritë kulturore dhe përkushtimin për avancimin e diturisë. Duke ofruar shembull akademik në kontekstin profesional, fakulteti gjithashtu përpiqet të edukoj studentët në zhvillimin e personalitetit duke kultivuar sensin për përgjegjësi ndaj shoqërisë dhe komunitetit.
 
    Në kremtimin e datëlindjes sonë jubilare, Fakulteti falënderon me mirënjohje të thellë gjithë stafin tonë të kaluar dhe të tanishëm, studentët, të diplomuarit, këshilltarët, partnerët dhe miqtë për përkrahje profesionale, të sinqertë dhe miqësore gjatë këtyre viteve. Mbështetur në këtë përkrahje të fuqishme, fakulteti mund të jetë i sigurt se përpjekja jonë për sigurimin e arsimimit cilësor në inxhinieri, mund të shtrij kufijtë e njohurive inxhinierike dhe të rritë pritjet se gjeneratat e ardhshme do të vazhdojnë të jenë edhe më të suksesshme.
 
   Duke qenë pjesë e këtij fakulteti për më shumë se 30 vite, shpesh kthej mendimin prapa në vitet e shkuara dhe reflektoj rrugën e kaluar gjatë këtyre jo pak viteve të fakultetit, gjatë së cilës nuk mund të lë pa theksuar tri periudha shumë të rëndësishme të historisë së zhvillimit të FIEK.
 
    Periudha fillestare nga themelimi i fakultetit deri në vitin 1991, që karakterizohet me progres të vazhdueshëm, rritje të numrit të studentëve, të stafit akademik, ndërtimit të objekteve të reja mësimore dhe laboratorëve përcjellës, aktivitete hulumtuese dhe shkencore, botime dhe publikime, vendosje të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përmbushjeve të vlerave universale akademike.
 
    Periudha më dramatike është puna e FIEK gjatë viteve 1991-1999, kur regjimi serb përjashton nga puna të gjithë studentët, profesorët dhe stafin administrativ shqiptar nga universiteti, dhe Universiteti i Prishtinës dhe Fakulteti i atëhershëm Elektroteknik në kuadër të tij detyrohen të vazhdojnë punën në kushte jashtëzakonisht të vështira nëpër shtëpi private. Me këtë rast dua t’i shpreh falënderime kolegut tonë Naim Hoxha në shtëpinë e të cilit kemi mbajtur ligjëratat e para pas dëbimit nga objektet tona, pastaj z. Ahmet Franku, Z. Asim Sokoli, z. Shefki Asllani, Z. Engjëll Rodiqi dhe të tjerëve që me zemërgjerësi na liruan shtëpitë e tyre për zhvillimin e aktiviteteve të fakultetit për 8 vite. Një mirënjohje dhe falënderim të veçantë i drejtoj shkollës fillore “Nazim Gafurri” ku u zhvillua pjesa më e madhe e mësimit gjatë këtyre viteve, dhe BIK e cila na la në shfrytëzim një hapësirë pranë Xhamisë së vogël, ku për 8 vite ishte i vendosur shërbimi i studentëve të FIEK.
 
  Gjatë periudhës tetëvjeçare të punës në kushte unike në botë, kualiteti i performansave të gjithmbarshme të veprimtarisë së fakultetit ka pësuar rënie e cila është pasqyruar në cilësinë e studimeve, shërbimeve të ofruara cilësinë e mësimdhënies, pjesën praktike të studimit, ikjen e një pjese të kuadrit cilësor nga vendi, e posaçërisht pësimi më i dukshëm ka qenë në veprimtarinë shkencore dhe hulumtuese, veprimtarinë botuese, në publikime dhe në avancimin e kuadrit të ri. Janë ndërprerë pothuajse të gjitha komunikimet dhe bashkëpunimet me universitetet jashtë Kosove si pasojë e mbylljes hermetike të shkaktuar nga rrethanat politike dhe të sigurisë. Kjo periudhë karakterizohet si periudha e mbijetesës dhe si periudha e rrënimit të skajshëm të veprimtarisë së përgjithshme universitare. Por, pjesa më e ndritshme e kësaj periudhe mbetet motivimi mbinjerëzor i studentëve dhe stafit për të mbijetuar dhe mbajtur gjallë frymën e arsimimit në lëmin e inxhinierisë. Sot mund të them me jo pak krenari se gjeneratat e studentëve të atëhershëm sot janë bartës të zhvillimit të shoqërisë sonë në përgjithësi, duke qenë në pozita me përgjegjësi të lartë jo vetëm në fushën e ngushtë profesionale por edhe në funksione të larta shoqërore dhe politike.
 
     Në momentet kritike kur ishte e qartë se për plotësimin e synimin tonë madhor –lirisë, nevojitej edhe rezistenca e armatosur, ndër të parët ishin studentët tanë që iu bashkëngjiten Ushtrisë së lavdishme Çlirimtare të Kosovës. Prandaj sot ne me respekt të thellë dhe pietet i përkulemi dëshmorëve të rënë Feriz Guri dhe Mr.sc. Lutfi Musiqi, dhe bashkëluftëtarëve tjerë të tyre, disa prej të cilëve sot i kemi në mesin tonë.
 
    Dhe periudha e tretë është puna e FIEK pas vitit 1999, kur pasluftës së lavdishme dhe intervenimit të NATO-s në Kosovë u krijuan kushtet për kthimin e Universitetit dhe fakulteteve në objektet e tyre dhe u krijuan kushtet elementare për rifillimin e punës dhe veprimtarisë themelore. Periudha e pas luftës karakterizohet me përpjekje të vazhdueshme dhe këmbëngulëse për rikthimin e vlerave, ngritjen e cilësisë në të gjitha fushëveprimet e fakultetit, duke filluar nga renovimi i të gjitha hapësirave mësimore dhe administrative, pajisja e laboratorëve reformimi i programeve të studimeve dhe rekrutimin e stafit të ri akademik.
 
  Nga ana tjetër, periudha e pasluftës për FIEK ka sjellë edhe deri te zhvillimi i dukshëm i njohjes ndërkombëtare, me përkrahje të realizuar me projekte të ndryshme bashkëpunimi. Gjatë kësaj kohe FIEK ka zhvilluar dhe vendosur raporte bashkëpunimi me disa universitete nga Evropa dhe SHBA, me pjesëmarrje në disa projekte të përbashkëta për ngritjen e resurseve njerëzore, programeve të përbashkëta studimi dhe të laboratorëve.
 
   E tanishmja është më optimiste dhe mund të them pa modesti se FIEK-u sot ka pozitë të qëndrueshme si një qendër e shembullore e arsimit të lartë dhe hulumtimeve shkencore në Kosovë dhe regjion (bazuar në katër vlerësime ndërkombëtare të cilat i kemi pasur që nga viti 2008 deri më 2011), citim nga raporti i vlerësimit institucional “ programet e studimit të cilat i ofron FIEK janë në harmoni të plotë me programet e studimeve të universiteteve evropiane”.
 
 
Janë ngritur laboratorë me pajisje bashkëkohore që plotësojnë ligjërimin dhe mësimin në klasa. Këtu nuk mund pa përmend në renditje kronologjike disa prej tyre: laboratori i kompjuterikes, laboratori i zhvillimit të softuerit dhe laboratori i rrjeteve kompjuterike (2002), laboratori i elektronikës, laboratori i elektronikës energjetike, laboratori i rregullimit automatik dhe laboratori i telekomunikacionit (2006-2007), salla bashkëkohore e telekonferencës (2008), laboratori i FEM dhe antenave (2010), laboratori i avancuar i rrjeteve kompjuterike, për të cilin ekspertët ndërkombëtar kanë thënë se është ndër më të avancuarit jo vetëm në regjion por edhe më gjerë, i realizuar përmes bashkëpunimit me Universitetin e Pittsburgh-ut (2009-2011), laboratori bashkëkohor i fizikës (2009-2011) dhe laboratori i energjetikës dhe instalimeve elektrike (2011).
 
   Biblioteka e rinovuar (2007-2008) është pasuruar me qendër kompjuterike dhe ofron shërbime gjithëpërfshirëse për studentët duke si qasje në internet, fotokopjim, printim dhe etj. FIEK ofron shërbime cilësore për studentë me implementimin e softuerit për menaxhimin e të dhënave të studentëve me qasje nga interneti që nga viti 2006. Gjithashtu, është siguruar qasje në internet në hapësirat e FIEK-t, përderisa inkurajohet përdorimi i teknologjive bashkëkohore si në mësimdhënie ashtu edhe në mësim-nxënie.
 
    Bashkëpunimi i përhershëm i FIEK dhe industrisë së vendit është avancuar me themelimin Bordit Industrial Këshillëdhënës të FIEK, i cili përbëhet nga përfaqësuesit e industrisë së Kosovës, dhe nga i cili kemi mbështetje të fuqishme. Ky bord është një urë lidhëse e qëndrueshme në mes të arsimimit universitar, dhe kërkesave të tregut të punës, dhe si i tillë cilësohet si model i bashkëpunimit akademi-industri, jo vetëm për UP por edhe për tërë regjionin.
 
    Sot në FIEK ligjërojnë profesorë vizitorë nga universitetet partnere nga Evropa dhe SHBA, duke sjell përvojat dhe ekspertizën e tyre para studentëve dhe stafit tonë akademik. Njëherit FIEK krijon mundësi të mira për shkollimin e stafit të ri akademik si jashtë vendit ashtu edhe te ne, me implementimin e programeve të reja fleksibile të studimit në nivelin master dhe të doktoratës, programe të cilat me lehtësi përcjellin zhvillimet e vrullshme në teknologjitë bashkëkohore si dhe kërkesat e ekonomisë dhe të industrisë.
 
    FIEK sot ka një pozitë të njohur ndërkombtarisht dhe pozitë të respektuar në mes të Fakulteteve të ngjashme në regjion, duke krijuar mundësi dhe përparësi për pjesëmarrje në projekte të ndryshme ndërkombëtare si FP7, TEMPUS, Erasmus Mundus etj. Indikator me rëndësi që pasqyron përmbushjen e misionit të FIEK-ut ndaj shoqërisë kosovare është përqindja e lartë e punësimit të të diplomuarve tanë ku mbi 90% prej tyre punësohen menjëherë pas diplomimit.
 
 
 
Prishtinë, 28 dhjetor 2011                                                                    Prof.Dr. Myzafere Limani