Historiku i FIEK-ut

Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike  (FIEK) është ngritur mbi themelet e Shkollës së Lartë Teknike, e cila ka filluar të punojë në Prishtinë si institucion profesional për drejtimin e Ndërtimtarisë, Elektroteknikës dhe Makinerisë, më 20 tetor 1961. Më 1965, Këshilli Ekzekutiv i Kosovës miratoi Ligjin për themelimin e Fakultetit Teknik me Seksionin e Ndërtimtarisë. Fakulteti ia filloi punës më 9 dhjetor 1965. Më 30 tetor 1967 u hapën në Prishtinë edhe Seksioni i Elektroteknikës dhe i Makinerisë, ndërsa mësimi në këto seksione filloi në vitin akademik 1967/68. Në vitin 1970 u formua edhe Qendra Llogaritëse Elektroteknike e Fakultetit Teknik në Prishtinë. Seksioni i Elektroteknikës i ka pasur dy drejtime: Drejtimin e Energjetikës dhe të Elektronikës me Telekomunikacion. Në vitin akademik 1967/68 në Fakultetin Teknik, përkatësisht në Seksionin e Elektroteknikës, për herë të parë janë regjistruar 47 studentë me mësim në gjuhën shqipe. Në vitin 1988, Fakulteti Teknik u nda në tri fakultete: Fakultetin e Elektroteknikës, Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës dhe Fakultetin e Makinerisë. Në vitin 2001, Senati i Universitetit të Prishtinës miratoi planet mësimore të mbështetura në Deklaratën e Bolonjës për nivelin bachelor. Po këtë vit, Fakulteti u riemërua në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike. FIEK ka 59 vite nga themelimi me një  punë të përcjellur me shumë suksese dhe sfida. Aktualisht FIEK ka 6 departamente: Departamenti i Automatikës së Kompjuterizuar dhe Robotikë,  Departamenti i Elektroenergjetikës, Departamenti i Elektronikës, Departamenti i Inxhinierisë Kompjuterike, Departamenti i Telekomunikacionit dhe Departamenti i lëndëve bazike. Sot në FIEK studiojnë 2201 studentë në studime Bachelor, 216 në studime Master. Në procesin e mësimdhënies janë të angazhuar 33 mësimdhënës në marrëdhënie të rregullt pune dhe 33 të angazhuar, dhe 6 te pensionuar, gjersa janë të punësuar 15 punonjës administrativ. FIEK është pjesë përbërëse e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” me seli në Prishtinë, Republika e Kosovës, me vendndodhje në Prishtinë.