UP-ja dhe NewCo Ferronikeli nënshkruajnë marrëveshje për bashkëpunim në fushën profesionale dhe shkencore

04 Maj 2021
SHARE

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe NewCo Ferronikeli Complex L.L.C kanë vendosur të bashkëpunojnë me qëllim të ngritjes së mundësive të ndërsjella për mbështetje profesionale dhe shkencore. Përfaqësuesit e të dyja palëve kanë nënshkruar marrëveshje të bashkëpunimit në një takim të mbajtur dje në ambientet e Ferronikelit.

Nënshkrimi i memorandumit u bë nga rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti, dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, prof. asoc. dr. Isak Shabani, dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, prof. dr. Ahmet Shala, si dhe përfaqësuesi i anksionarit të Ferronikelit, z. Genci Beribashi.

Për arritjen e këtij bashkëpunimi u shpreh i lumtur rektori Sahiti. Ai theksoi që menaxhmenti i UP-se është i interesuar në krijimin e mundësive konkrete për bashkëpunim, në veçanti të atyre që do të ndikojnë drejtpërdrejt në përgatitjen e studentëve tanë.

Me anë të këtyre memorandumeve, është përcaktuar që FIEK-u dhe FIM-i të bashkëpunojnë me NewCo Ferronikeli Complex në disa fusha: në realizim të vizitave profesionale për studentët dhe mësimdhënësit, krijim të mundësive për punë praktike dhe punë në terren për studentët, ndihmë në realizim të punimeve seminarike dhe të punimeve të diplomës për studentët, bashkëpunim në përdorimin e ndërsjellë të laboratorëve, angazhim të ekspertëve nga NewCo Ferronikeli, në formë të ligjëratave të ftuara për studentët e fakultetit, të cilat janë të fokusuara në fushën aplikative shkencore dhe menaxheriale dhe profesionale, si dhe në të tjera projekte.