Organizimi i konferecës “SHEcurity 2026” me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Vajzave në ICT

23 Prill 2026
SHARE

Me rastin e “Ditës Ndërkombëtare të Vajzave në ICT”, në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të Universitetit të Prishtinës u mbajt konferenca e dytë “SHEcurity 2026”.

Kjo ditë nuk është vetëm një moment simbolik, por një thirrje e fuqishme për reflektim dhe veprim.

Në një botë gjithnjë e më të digjitalizuar, Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK), Inteligjenca Artificiale dhe Siguria Kibernetike janë bërë shtylla themelore të zhvillimit ekonomik, shoqëror dhe institucional. Megjithatë, përparimi i vërtetë nuk mund të arrihet pa pjesëmarrjen e barabartë dhe të fuqishme të vajzave dhe grave në këto fusha.

Qëllimi i konferencës ishte forcimi i rolit të vajzave dhe grave në ICT, duke i inkurajuar ato të ndjekin karrierë në teknologji, të angazhohen në kërkime shkencore dhe të marrin pjesë aktive në ndërtimin e një hapësire digjitale të sigurt dhe gjithëpërfshirëse.

Fakulteti ynë mbetet i përkushtuar për të krijuar një mjedis mbështetës dhe motivues për të gjitha studentet dhe studiueset, duke ofruar mundësi të barabarta në arsim, inovacion dhe zhvillim profesional. Ne besojmë fuqimisht se diversiteti në teknologji sjell ide më të mira, zgjidhje më të qëndrueshme dhe një të ardhme më të drejtë për të gjithë.

Vajzat sot nuk janë vetëm përdoruese të teknologjisë, por edhe krijuese, inovatorë dhe udhëheqëse të së ardhmes digjitale. Bota ka nevojë për perspektivën, kreativitetin dhe vendosmërinë e tyre. Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku për të ndërtuar një sektor të ICT-së të barabartë, të sigurt, gjithëpërfshirës dhe me ndikim në shoqëri.