Konferenca e 2-të Ndërkombëtare për #Energjitë e Rinovueshme dhe Teknologjitë e Zgjuara (REST-24)

19 Qershor 2024
SHARE

Jemi të gëzuar të njoftojmë mbajtjen e Konferencës së 2-të Ndërkombëtare për Energjitë e Rinovueshme dhe Teknologjitë e Zgjuara (REST 24), e cila do të zhvillohet më 27-28 qershor 2024 në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, #Prishtinë, #Kosovë. Kjo konferencë e rëndësishme shkencore është e mbështetur nga Instituti i Inxhinierëve Elektrikë dhe Elektronikë (IEEE).

REST 24 do të bashkojë mendjet më të ndritura nga fusha e energjive të rinovueshme dhe teknologjive të zgjuara, duke ofruar një platformë të rëndësishme për shkëmbimin e ideve dhe kërkimeve shkencore. Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të dëgjojnë prezantimet e mbi 100 punimeve kërkimore që vijnë nga 25 shtete të botës, të diskutojnë mbi zhvillimet e fundit dhe të krijojnë rrjete profesionale.

Një aspekt i veçantë i kësaj konference është prania e 4 kryefolësve të cilët janë drejtues instituteve prestigjioze nga elita botërore, të cilët do të ndajnë njohuritë dhe përvojat e tyre mbi çështjet më të fundit dhe inovative në fushën e energjisë dhe teknologjisë. Këta folës do të frymëzojnë dhe do të ofrojnë perspektiva të reja për të gjithë pjesëmarrësit.

Kjo është hera e parë që një konferencë e tillë po mbahet në Kosovë, duke e bërë REST 24 ngjarjen më të rëndësishme dhe me ndikimin më të madh shkencor që vendi ka pasur ndonjëherë. Programi i konferencës përfshin prezantime nga studiues të shquar, sesione diskutimi, punëtori dhe panele interaktive. Kjo ngjarje do të ofrojë një ambient frymëzues për shkencëtarët, inxhinierët, studentët dhe profesionistët që të ndajnë njohuritë dhe përvojat e tyre.

Mos humbisni këtë mundësi unike për të qenë pjesë e një ngjarjeje historike në fushën e shkencës dhe teknologjisë në Kosovë. Ju ftojmë të regjistroheni dhe të bashkoheni me ne në Prishtinë për REST 24.

Për më shumë informacione dhe për të bërë regjistrimin tuaj, ju lutemi vizitoni faqen tonë zyrtare https://ic-rest.com