Elektronikë, Automatikë dhe Robotikë

Informata të përgjithshme për programin e studimit: BSc - Elektronikë, Automatikë dhe Robotikë (EAR) 2024–2027

Përmbledhje e Programit

Programi i studimeve Bachelor (BSc) në Elektronikë, Automatikë dhe Robotikë (EAR) në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK) është një program trevjeçar me 180 ECTS, që ofron arsim të plotë universitar në fushat e teknologjive të avancuara elektronike dhe të sistemeve të automatizuara.

Programi ofron dy profile të specializuara:

  • Profili: Elektronikë

  • Profil: Automatikë dhe Robotikë

Ky program është projektuar për të përgatitur inxhinierë bashkëkohorë, inovativë dhe të orientuar drejt zgjidhjeve praktike në teknologjitë moderne. Studentët fitojnë njohuri dhe aftësi në fusha të gjera, përfshirë elektronikën analoge dhe digjitale, mikroelektronikën, elektronikën e fuqisë, automatizimin e proceseve industriale, robotikën, komunikimet digjitale, Internetin e Gjërave (IoT) dhe sistemet inteligjente të integruara.

Programi ndërthur bazat teorike me përvojë praktike përmes punës laboratorike, detyrave projektuale dhe zhvillimit të sistemeve reale, duke siguruar kompetenca për dizajnimin, simulimin dhe implementimin e sistemeve elektronike dhe automatizuese në mjedise të ndryshme.

  • Në profilin Elektronikë, studentët aftësohen në projektimin dhe analizimin e qarqeve, sinjaleve dhe sistemeve elektronike, përfshirë sistemet e elektronikës së fuqisë që përdoren në burimet e ripërtëritshme të energjisë (BRE) dhe në ngasjen e motorëve elektrikë. Ata zhvillojnë kompetenca në menaxhimin e energjisë, projektimin e pajisjeve inteligjente të bazuara në Internetin e Gjërave (IoT), programimin e kontrolluesve logjikë të programueshëm (PLC), automjetet elektrike, si dhe në programimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve të bazuara në kompjuter. Programi gjithashtu përfshin njohuri në inteligjencën artificiale (AI) dhe sigurinë kibernetike, duke i përgatitur studentët për zhvillimet më të fundit në fushën e elektronikës dhe automatizimit të sistemeve.

  • Në profilin Automatikë dhe Robotikë, studentët aftësohen në projektimin dhe zbatimin e sistemeve të kontrollit automatik, robotëve industrialë dhe mobilë, si dhe sistemeve të mbikëqyrjes dhe kontrollit (SCADA). Programi përfshin përdorimin e kontrolluesve logjikë të programueshëm (PLC) dhe integrimin e teknologjive të avancuara si inteligjenca artificiale (AI), Internetit i Gjërave (IoT) dhe siguria kibernetike në automatizim dhe robotikë. Studentët përgatiten për të projektuar dhe menaxhuar sisteme të mençura dhe të sigurta që përputhen me kërkesat e industrisë 4.0 dhe transformimit digjital në sektorin industrial.

Përmes integrimit të disiplinave të elektronikës së fuqisë, automatizimit, komunikimeve dhe rrjeteve të pajisjeve inteligjente, programi synon të përgatisë profesionistë të aftë për të projektuar, zhvilluar dhe menaxhuar sisteme të mençura për industrinë, energjinë, transportin, shërbimet publike dhe aplikime të qëndrueshme.

Në përfundim të studimeve, studentët janë të përgatitur të kontribuojnë në fushat e teknologjive të reja

 

Misioni, objektivat dhe administrimi

Misioni i programit të studimeve Bachelor në Elektronikë, Automatike dhe Robotikë (EAR) është në përputhje të plotë me misionin e përgjithshëm të FIEK-ut dhe të Universitetit të Prishtinës. Programi është i orientuar drejt mësimdhënies bashkëkohore, kërkimit shkencor të vazhdueshëm dhe zhvillimit teknologjik inovativ.

Programi ka një koncept të qartë didaktik dhe kërkimor, që ndërthur disiplinat e elektronikës, automatizimit, robotikës dhe teknologjive të informacionit me fushat e reja si Internet of Things (IoT), Siguria Kibernetike (Cyber Security) dhe Bazat e Inteligjencës Artificiale (AI).
I gjithë stafi dhe studentët e programit respektojnë rregulloret e brendshme të FIEK-ut dhe të UP-së që lidhen me sjelljen etike në mësimdhënie, kërkim dhe vlerësim, duke siguruar profesionalizëm dhe integritet akademik në çdo aktivitet.

Të diplomuarit nga ky program do të demonstrojnë njohuri, aftësi dhe kompetenca në përputhje me Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve (KKK) dhe Kornizën e Kualifikimeve të Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë (EHEA).

 

Misioni i programit

Misioni i programit është të përgatisë inxhinierë kompetentë, kreativë dhe etikë, të cilët posedojnë aftësi të transferueshme dhe të specializuara në fushat e elektronikës, automatizimit dhe robotikës, të aftë për të adresuar sfidat teknologjike të epokës digjitale dhe të kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë.

Programi synon që studentët:

  • të zotërojnë bazat e forta të elektronikës dhe sistemeve të kontrollit automatik;

  • të kuptojnë dhe të aplikojnë teknologjitë e Internetit të Gjërave (IoT) në ndërlidhjen e pajisjeve, sensorëve dhe sistemeve inteligjente;

  • të fitojnë njohuri praktike në sigurinë kibernetike për mbrojtjen e rrjeteve, sistemeve të automatizuara dhe pajisjeve të mençura;

  • të përvetësojnë bazat e inteligjencës artificiale dhe të mësimit makinerik, për t’i integruar ato në robotikë, automatizim dhe sisteme autonome;

  • të jenë të përgatitur për të kontribuar në industrinë 4.0, sistemet e mençura, energjinë e qëndrueshme, transportin inteligjent, dhe infrastrukturën digjitale të së ardhmes.

Nëpërmjet një qasjeje ndërdisiplinare dhe moderne të mësimdhënies, programi siguron që studentët të fitojnë njohuri të thelluara teorike dhe përvojë praktike përmes laboratorëve bashkëkohorë, simulimeve kompjuterike, projekteve inxhinierike dhe punës ekipore.

Programi është plotësisht në përputhje me misionin strategjik të FIEK-ut, që synon të rrisë performancën akademike dhe kërkimore, të avancojë strukturën e studimeve dhe të zhvillojë aftësi praktike që përputhen me kërkesat e tregut vendor dhe ndërkombëtar të punës.

Misioni i programit të Elektronikës, Automatikes dhe Robotikës është të ofrojë përmbajtje moderne dhe fleksibile, që pasqyron zhvillimet më të fundit në teknologjinë e informacionit, automatizim, energji, komunikim, inteligjencë artificiale dhe siguri kibernetike, duke i bërë studentët të aftë të kontribuojnë në transformimin digjital të sektorëve të ndryshëm.

 

Objektivat e Programit sipas profileve(specializimeve)

Specializimi Elektronikë: Të diplomuarit e profilit Elektronikë do të jenë të aftë të projektojnë, analizojnë dhe optimizojnë qarqe dhe sisteme elektronike, duke kombinuar njohuritë teorike me zbatime praktike në laborator. Ata do të zotërojnë kompetenca në elektronikën analoge dhe digjitale, elektronikën e fuqisë, mikroelektronikën dhe optoelektronikën, si dhe në dizajnin e pajisjeve të mençura për energji, transport dhe automatizim.
Studentët aftësohen të integrojnë Internetin e Gjërave (IoT) në sistemet elektronike, të zbatojnë parimet e sigurisë kibernetike për mbrojtjen e pajisjeve të lidhura, si dhe të përdorin bazat e inteligjencës artificiale për zhvillimin e sistemeve vetëpërdorues dhe optimizues.
Ata janë të përgatitur për kërkime shkencore, zhvillim produktesh elektronike, dhe përfshirje në industri të avancuara si energjetika, transporti elektrik, biomedicina dhe automatizimi industrial.

Specializimi Automatikë dhe Robotikë: Të diplomuarit e profilit Automatike dhe Robotikë aftësohen në projektimin, programimin dhe integrimin e sistemeve të kontrollit automatik, robotëve industrialë dhe mobilë, sistemeve të shpërndara (SCADA) dhe rrjeteve të pajisjeve inteligjente.
Ata zotërojnë njohuri për modelimin matematik dhe simulimin e proceseve, përdorimin e mikrokontrolluesve, PLC-ve dhe sistemeve të integruara, si dhe për zbatimin e IoT dhe inteligjencës artificiale në automatizim dhe robotikë.

Studentët zhvillojnë aftësi për të zbatuar protokolle të sigurisë kibernetike në rrjetet industriale, për të ndërtuar sisteme autonome dhe bashkëvepruese, dhe për të kontribuar në zhvillimin e industrisë 4.0 përmes automatizimit inteligjent dhe transformimit digjital të proceseve.

Administrimi

Administrimi i programit Bachelor në EAR zhvillohet në përputhje me Statutin e Universitetit të Prishtinës,  rregulloret e FIEK-ut dhe udhëzimet e Komisionit të Studimeve.

Programi administrohet në mënyrë të përbashkët nga dy departamente:

  • Departamenti i Elektronikës, i cili mbulon fushat e elektronikës analoge dhe digjitale, mikroelektronikës, elektronikës së fuqisë, optoelektronikës dhe sistemeve të integruara dhe Arkitektures se kompjutereve.

  • Departamenti i Automatikes së Kompjuterizuar dhe Robotikës, i cili mbulon fushat e kontrollit automatik, sistemeve të integruara (embedded systems), robotikës, automatizimit industrial dhe komunikimeve teknologjike të lidhura me IoT.

Koordinimi ndërmjet dy departamenteve siguron zhvillimin harmonik të lëndëve themelore dhe të specializuara për secilin profil, si dhe integrimin e kompetencave ndërdisiplinare në nivel programi.

Për monitorimin e cilësisë akademike dhe përmbajtjes së kurrikulës kujdeset Komisioni i Studimeve të Fakultetit në bashkëpunim me departamentet, që përditësojnë syllabus-et, harmonizojnë ECTS kreditet dhe propozojnë përmirësime bazuar në praktikat bashkëkohore të arsimit inxhinierik.

Në mbështetje të lidhjes me tregun e punës dhe zhvillimeve teknologjike, funksionon Bordi Industrial Këshillues, i përbërë nga përfaqësues të industrisë, institucioneve partnere dhe organizatave profesionale. Ky bord jep rekomandime për përmirësimin e përmbajtjes mësimore, zhvillimin e praktikave profesionale dhe përshtatjen e programit me kërkesat e industrisë 4.0 dhe të transformimit digjital.

Proceset akademike dhe administrative menaxhohen përmes sistemit SEMS, në përputhje me parimet e Procesit të Bolonjës dhe me standardet institucionale të sigurimit të cilësisë të Universitetit të Prishtinës.

Bashkëpunimi ndërmjet stafit akademik, administrativ dhe studentëve siguron zbatim të qëndrueshëm të mësimdhënies, kërkimit dhe zhvillimit profesional në kuadër të programit.

 

Kriteret e Pranimit

Pranimet e reja të studentëve në UP ndjekin rregulloret që janë të bazuara në Statutin e UP-së. Njoftimet publike bëhen në ueb faqen e UP dhe ueb faqen e FIEK. Neni 103 i Statutit të UP-së parasheh detaje të përgjithshme për kushtet e pranimit, të cilat zbatohen në mënyrë uniforme për të gjithë kandidatët. Kushtet specifike për studimet Bachelor, duke përfshirë detajet e aplikimit dhe regjistrimit, janë të përshkruara në nenet 6, 7 dhe 8 të Rregullores së UP-së. Për lëndët për provimin pranues vendos Këshilli i FIEK, sipas nenit 103. Tradicionalisht, FIEK zgjedh matematikën për provimin pranues dhe rezultatet zakonisht publikohen brenda 2-3 ditëve.

Kandidatët kanë të drejtë ankimimi brenda 3 ditëve. Komisioni për shpalljen e rezultateve është formuar nga FIEK. Kriteret e aplikimit dhe regjistrimit për studimet Bachelor publikohen në faqen e UP-së në dy thirrje, zakonisht në korrik dhe shtator. 

Përzgjedhja e studentëve për t'u regjistruar në programet e studimit në FIEK u bazua në tre kritere: arritjet e mëparshme të matura me suksesin në shkollën e mesme (30%), pikët e provimit të maturës shtetërore (30%) dhe pikët e provimit pranues të matematikës (40%). I njëjti provim pranues i matematikës u përdor për të gjitha programet e studimit.

Bazuar në nenin 6 të Rregullores së UP-së për studimet bazë- Bachelor, Nr. 22 dt. 13.01.2022, në studimet bachelor kanë të drejtë të aplikojnë të gjithë kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme dhe kanë përfunduar provimin e Maturës Shtetërore, si dhe kandidatët që kanë përfunduar katër vjet ish-gjimnaz (pa Provim të Maturës Shtetërore). 

Kërkesat/kriteret specifike për kandidatët që kanë kryer arsimin paraprak jashtë Kosovës bazohen në nenin 103 të Statutit të UP-së. Studentët duhet të kenë diploma të vlefshme të shkollës së mesme, apo dokumente të tjera ekuivalente të studimit në përputhje me kërkesat e MASHT-it. Studentët dorëzojnë origjinalin e diplomave dhe notave si dhe certifikatën origjinale të pikëve të provimit të maturës shtetërore.  

Kriteret e Vlerësimit

Të gjitha njësitë akademike të Universitetit të Prishtinës zbatojnë shkallën e mëposhtme të notimit për të vlerësuar arritjet e studentëve:

  • 10 dhe 9 – Shkëlqyeshëm (Excellent)

  • 8 – Shumë mirë (Very Good)

  • 7 – Mirë (Good)

  • 6 – Mjaftueshëm (Sufficient)

  • 5 – Pamjaftueshëm (Insufficient/Fail)

 Studenti e përfundon me sukses një lëndë kur arrin së paku notën 6 (Mjaftueshëm).

Vlerësimi në secilën lëndë mund të përfshijë një kombinim të:

  • Provimit final

  • Provimeve gjatë semestrit ose kuizeve

  • Punës projektuese ose detyrave laboratorike

  • Pjesëmarrjes dhe angazhimit në ligjërata

Shpërndarja e saktë e pikëve ndërmjet këtyre komponentëve përcaktohet në syllabus-in e secilës lëndë, por të gjitha lëndët ndjekin të njëjtën shkallë notimi të Universitetit të paraqitur më sipër.

 

Rezultatet e pritshme të të nxënit

Studentët e profilit Elektronikë do të zhvillojnë njohuri dhe aftësi të avancuara në fushën e inxhinierisë elektrike dhe elektronike, me fokus në projektimin, analizimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve elektronike dhe të integruara.

Në përfundim të studimeve, ata do të jenë të aftë të:

  • kuptojnë funksionimin e sistemeve dhe nën-sistemeve elektronike brenda fushës së inxhinierisë elektrike;

  • shpjegojnë parimet e projektimit dhe funksionimit të komponentëve elektronikë dhe sistemeve bazë, si: amplifikatorë, transmetues, pranues, mikroprocesorë, kompjuterë, burime energjie, inverterë, automjete elektrike dhe robotë;

  • analizojnë dhe optimizojnë sisteme elektronike të aplikuara në tregti dhe multimedia, si TV, pajisje celulare, radio, audio/video dhe pajisje komunikimi;

  • kuptojnë bioinxhinierinë dhe fotonikën si bazë për aplikime në diagnostikën biomjekësore dhe pajisjet mjekësore inteligjente;

  • projektojnë dhe implementojnë sisteme të bazuara në mikroprocesorë, mikrokontrollues dhe kompjuterë për aplikime të ndryshme industriale e shërbyese;

  • aplikojnë koncepte të Internetit të Gjërave (IoT) për ndërlidhjen e pajisjeve elektronike dhe mbledhjen e të dhënave në kohë reale;

  • zbatojnë parime të sigurisë kibernetike për mbrojtjen e pajisjeve dhe sistemeve elektronike nga qasjet e paautorizuara;

  • kuptojnë bazat e inteligjencës artificiale për njohjen e zërit, figurës dhe optimizimin e funksioneve automatike në sisteme elektronike;

  • përgatisin dhe mirëmbajnë dokumentacion teknik për sistemet elektronike, duke respektuar standardet profesionale dhe teknike ndërkombëtare.

Studentët e profilit Automatikë dhe Robotikë do të fitojnë njohuri të thelluara teorike dhe praktike në dizajnin, implementimin dhe menaxhimin e sistemeve të kontrollit automatik, robotikës dhe automatizimit të integruar industrial.

Në përfundim të studimeve, ata do të jenë të aftë të:

  • kuptojnë dhe analizojnë sistemet dhe nën-sistemet elektronike dhe të kontrollit automatik në inxhinierinë elektrike dhe informatike;

  • projektojnë, dokumentojnë dhe implementojnë sisteme kompjuterike të dedikuara të bazuara në mikrokontrollues, kompjuterë dhe PLC për automatizimin e proceseve industriale;

  • analizojnë, projektojnë dhe implementojnë sisteme automatizimi industriale, shtëpiake dhe të ndërtesave (smart home/building), duke integruar IoT dhe sensorët inteligjentë;

  • kuptojnë, programojnë dhe përdorin sisteme robotike industriale dhe mobile, duke i integruar ato me sistemet e automatizimit, automjetet elektrike dhe sistemet autonome të lëvizjes;

  • implementojnë ndërfaqe inteligjente (HMI) dhe aplikime të bazuara në inteligjencën artificiale për njohje zanore dhe vizuale në robotikë;

  • zbatojnë masat e sigurisë kibernetike në rrjetet dhe sistemet e automatizuara për mbrojtje të proceseve industriale dhe të dhënave të sistemit;

  • marrin pjesë në faza të ndryshme të implementimit dhe menaxhimit të sistemeve të shpërndara (SCADA) dhe komunikimeve industriale;

  • përdorin metoda të modelimit, simulimit dhe optimizimit për zhvillimin e sistemeve të mençura dhe autonome në kuadër të industrisë 4.0.

Ky version është i përputhshëm me Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve (KKK – Niveli 6) dhe EHEA, i formatuar sipas praktikës së dokumenteve të akreditimit dhe uebfaqes së FIEK-ut.

Top of Form

Pagesat për shkollim

Studimet në FIEK janë pa pagesë për të gjithë studentët e rregullt që ndjekin me sukses programet trevjeçare (Bachelor) dhe nuk përsërisin asnjë vit gjatë studimeve.

Në rast se studenti nuk arrin të kalojë në vitin vijues dhe duhet ta përsërisë vitin akademik, atëherë aplikohet pagesa semestrale prej 25 euro, përkatësisht 50 euro/për vit akademik.

 

Syllabuset per programin Elektronikë, Automatikë dhe Robotikë -  Syllabuset_shqip

BSc_Elektronikë, Automatikë dhe Robotikë
Publikuar me: 23/04/2023 Shkarko
MSc_Electronike, Automatike dhe Robotike
Publikuar me: 23/04/2023 Shkarko
1.2. BSc_EAR_syllabuset_shqip
Publikuar me: 22/10/2025 Shkarko