Elektronikë, Automatikë dhe Robotikë

Informata të përgjithshme për programin e studimit: MSc - Elektronikë, Automatikë dhe Robotikë (EAR) 2024–2027

Përmbledhje e Programit

Misioni, objektivat dhe administrimi

Misioni

Misioni i programit Master në Elektronikë, Automatikë dhe Robotikë (EAR) është plotësisht i harmonizuar me misionin e përgjithshëm të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK) dhe të Universitetit të Prishtinës (UP). Programi synon të edukojë inxhinierë krijues dhe të aftë, të pajisur me kompetenca të transferueshme dhe të specializuara, të cilët janë në gjendje të adresojnë sfidat e elektronikës moderne, të Automatikëit dhe robotikës dhe programimit; të gjenerojnë dhe shpërndajnë njohuri të reja; si dhe të udhëheqin arsimin ndërdisiplinar për zgjidhjen e problemeve reale industriale dhe teknologjike.
Përmes këtij programi, studentët marrin një arsimim të thellë dhe të orientuar drejt kërkimit shkencor, që i përgatit për studime të avancuara si dhe për praktikë profesionale dhe etike në një mjedis global konkurrues. Programi ndërthur bazat teorike me mësimin e aplikuar dhe kërkimor, duke theksuar inovacionin, qëndrueshmërinë dhe përputhshmërinë me prioritetet kombëtare dhe evropiane të zhvillimit.

Orientimi Akademik dhe Kërkimor: Programi EAR kombinon metodologji bashkëkohore mësimore me kërkim dhe inovacion. Ai zhvillon një qasje të bashkërenduar didaktike dhe shkencore që lidh sistemet elektronike, automatikën dhe robotikën përmes kornizave moderne ndërdisiplinare.

Studentët fitojnë njohuri teorike dhe praktike në elektronikë (mikroelektronikë, qarqe RF dhe me mikrovalë, optoelektronikë, elektronikë fuqie, instrumentacion, elektronikë biomedikale dhe Automatikë të projektimit elektronik) si dhe në Automatikë e robotikë (kontroll automatik, sisteme të integruara, PLC/SCADA, kontroll i shpërndarë, robotë mobilë dhe industrialë, sisteme IoT dhe aplikime të inteligjencës artificiale).
Kurrikula thekson mendimin kritik dhe kreativ, zgjidhjen e pavarur dhe në grup të problemeve, si dhe bashkëpunimin e ngushtë me laboratorët kërkimorë dhe partnerët industrialë. Rezultatet e programit janë të harmonizuara me Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve (KKK) dhe Kornizën Evropiane të Kualifikimeve (EQF) – Niveli 7, duke garantuar krahasueshmëri dhe mobilitet akademik brenda Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë (EHEA).

Parime Etike dhe Pajtueshmëri: Të gjithë anëtarët akademikë dhe studentët e programit EAR i përmbahen kodeve institucionale të etikës, duke garantuar integritet në mësimdhënie, kërkim dhe vlerësim. Programi nxit ndershmërinë akademike, përfshirjen dhe përgjegjësinë profesionale në të gjitha aktivitetet akademike dhe administrative.

 

Objektivat e Programit

Të diplomuarit e programit do të:

  • Marrin njohuri të avancuara për projektimin, funksionimin dhe kontrollin e sistemeve komplekse elektronike dhe të automatizuara.

  • Të jenë në gjendje të analizojnë, projektojnë, implementojnë dhe diagnostikojnë sisteme elektronike, procese automatike dhe aplikime robotike.

  • Projektojnë sisteme të kontrollit autonom të bazuara në mikrokontrollerë, kompjuterë dhe PLC, duke integruar sensorë, aktuatorë dhe protokolle komunikimi.

  • Zhvillojnë dhe zbatojnë strategji kontrolli për ngasje elektrike, përfshirë teknikat PWM, vektoriale dhe pa sensorë për aplikime me efikasitet të lartë dhe qëndrueshmëri.

  • Integrojnë burime të energjisë së ripërtëritshme (diellore, erë, akumulim) me platforma te automatizuara dhe monitorim për menaxhim inteligjent të energjisë.

  • Fitojnë aftësi në teknologjitë IoT, protokollet e komunikimit (p.sh. MQTT, Modbus, OPC-UA), sigurinë kibernetike dhe sistemet e kontrollit të bazuara në AI/ML për aplikime të industrisë inteligjente.

  • Zhvillojnë kërkime dhe inovacione në modelim, optimizim, simulim dhe verifikim eksperimental të sistemeve elektronike dhe robotike.

  • Demonstrojnë lidership, bashkëpunim dhe përgjegjësi etike në mjedise ndërdisiplinare.

  • Ruajnë vazhdimësinë akademike dhe kontribuojnë në zhvillimin e kapaciteteve njerëzore në fushat e elektronikës, automatikës dhe robotikës në Kosovë dhe më gjerë.

  • Jenë plotësisht të përgatitur për praktikë profesionale dhe për avancim akademik në nivelin doktoral (Niveli 8).

 

Administrimi i Programit

Programi Master në Elektronikë, Automatikë dhe Robotikë administrohet në mënyrë të përbashkët nga Departamenti i Elektronikës dhe Departamenti i Automatikëit të Kompjuterizuar dhe Robotikës, në përputhje me Statutin e Universitetit të Prishtinës dhe rregulloret e brendshme të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike. Programi zhvillohet përmes procedurave transparente dhe akademikisht rigoroze që sigurojnë koordinim efektiv ndërmjet mësimdhënies, kërkimit dhe veprimtarive administrative.

Mbikëqyrja Akademike dhe Qeverisja: Programi mbikëqyret nga Departamenti dhe Bordi Këshillimor Industrial i FIEK-ut, të cilët rishikojnë periodikisht kurrikulën për të siguruar përputhshmëri me zhvillimet teknologjike, standardet industriale dhe kërkesat e tregut të punës. Vendimet që lidhen me përmirësimin e kurrikulës, stafin akademik dhe planifikimin e lëndëve merren në përputhje me Statutin e UP-së dhe Planin Strategjik të Zhvillimit të FIEK-ut.

Infrastruktura Mësimore dhe Laboratorike: Programi përfiton nga infrastrukturë moderne mësimore dhe kërkimore, përfshirë laboratorë të specializuar në Elektronikë, Elektronikë Fuqie, Sisteme të Integruara, PLC/SCADA, Robotikë, Përpunim Sinjali dhe IoT/Cloud/Edge Computing. Këto laboratorë mbështesin komponentët teorikë dhe praktikë të kurrikulës, duke u mundësuar studentëve zhvillimin e aftësive praktike me pajisje dhe mjete bashkëkohore.

Rezultatet e pritshme të të nxënit

Njohuri
Të diplomuarit do të:

  • Demonstrojnë njohuri të avancuara teorike dhe praktike në elektronikë, automatikë, robotikë dhe kontroll të ngasjeve elektromotorike, duke integruar parime ndërdisiplinare të inxhinierisë.

  • Kuptojnë funksionimin, modelimin dhe kontrollin e motorëve elektrikë (DC, AC dhe servo) të përdorur në sistemet industriale dhe robotike.

  • Posedojnë njohuri të thella për konvertuesit elektronikë të fuqisë, arkitekturat e kontrollit dhe aplikimet e tyre në konvertimin e energjisë, automatizim dhe sistemet e energjisë së ripërtëritshme.

  • Kuptojnë arkitekturën dhe integrimin e sistemeve të energjisë së ripërtëritshme me elektronikën e fuqisë, ruajtjen e energjisë dhe sistemet automatike të kontrollit për funksionim hibrid e të shpërndarë.

  • Aplikojnë njohuri të avancuara në mikroelektronikë, optoelektronikë, sensorë, aktuatorë dhe përpunim sinjali për sisteme inteligjente të kontrollit dhe robotikës.

  • Kuptojnë modelimin matematik, metodat e simulimit dhe protokollet e komunikimit në sistemet e integruara, industriale dhe të automatizuara të shpërndara.

  • Demonstrojnë njohuri për Internetin e Gjërave (IoT) dhe integrimin e tij me automatizim dhe robotikë, për mbledhje të dhënash në kohë reale, kontroll dhe ndërlidhje sistemesh.

  • Përvetësojnë njohuri mbiMachine Learning dhe Inteligjencën Artificiale (AI) të aplikuara në kontroll inteligjent, sisteme adaptive dhe sjellje autonome robotike.

  • Kuptojnë parimet e Sigurisë Kibernetike (Cybersecurity) për mbrojtjen e rrjeteve industriale, sistemeve të integruara dhe infrastrukturave të bazuara në cloud.

  • Njohin rëndësinë Cloud Computing dhe Edge Computing për analizë të të dhënave, monitorim në distancë dhe Automatikë të shkallëzuar.

  • Kuptojnë integrimin ndërdisiplinar të sistemeve që lidhin elektronikën, kompjuteriken, kontrollin dhe mekanikën në zgjidhje inteligjente adaptive.

  • Përvetësojnë njohuri kërkimore në modelim, optimizim dhe identifikim sistemesh, duke u përgatitur për inovacion shkencor dhe industrial.

  • Kuptojnë parimet etike, mjedisore dhe të qëndrueshmërisë në zhvillimin dhe zbatimin e teknologjisë.

Aftësi
Të diplomuarit do të jenë në gjendje të:

  • Projektojnë, analizojnë dhe implementojnë qarqe elektronike, sisteme automatike, mekanizma robotikë dhe ngasje elektrike duke përdorur mjete të avancuara të modelimit, simulimit dhe “digital twin”.

  • Zhvillojnë strategji kontrolli për ngasje elektromotorike, përfshirë kontrollin PWM, kontrollin vektorial dhe teknikat pa sensorë për aplikime industriale e robotike efikase.

  • Integrojnë burime të energjisë së ripërtëritshme (si diellore dhe e erës) me platformat e Automatikëit dhe ruajtjes së energjisë për menaxhim të zgjuar e monitorim.

  • Implementojnë teknologjitë IoT për lidhjen e sensorëve, aktuatorëve dhe sistemeve të integruara, duke mundësuar mbledhje të dhënash në kohë reale, mirëmbajtje parashikuese dhe optimizim sistemi përmes cloud ose edge computing.

  • Aplikojnë protokollet e komunikimit IoT (MQTT, Modbus, OPC-UA) dhe analiza të të dhënave për automatizim industrial dhe rrjete robotike inteligjente.

  • Projektojnë dhe optimizojnë ndërfaqe elektronike të fuqisë për integrim të energjisë së ripërtëritshme dhe ngasje motorike.

  • Zhvillojnë algoritme kontrolli të integruara për aplikime në kohë reale duke përdorur mikrokontrollerë, PLC dhe sisteme SCADA, duke siguruar besueshmëri dhe siguri kibernetike.

  • Zhvillojnë kërkime të pavarura dhe bashkëpunuese përmes metodologjive shkencore për zgjidhjen e problemeve komplekse në automatike, robotikë dhe sisteme energjie.

  • Aplikojnë simulim dhe validim eksperimental për të vlerësuar dhe përmirësuar performancën e sistemeve.

  • Komunikojnë në mënyrë efikase konceptet teknike dhe rezultatet e kërkimeve me audienca profesionale dhe ndërdisiplinare, me shkrim dhe me gojë.

  • Përdorin mjete moderne softuerike dhe platforma cloud për integrim, monitorim dhe kontroll të sistemeve në kuadër të Industrisë 4.0 dhe prodhimit inteligjent.

 

Kompetenca
Pas përfundimit të programit, të diplomuarit do të:

  • Menaxhojnë dhe zbatojnë projekte komplekse në elektronikë, automatikë, robotikë, sisteme të bazuara në IoT dhe energji elektromekanike, duke siguruar saktësi teknike, siguri kibernetike dhe qëndrueshmëri mjedisore.

  • Aplikojnë njohuri të avancuara për të projektuar dhe optimizuar sisteme inteligjente, me efikasitet energjie dhe të ndërlidhura për aplikime industriale dhe të energjisë së ripërtëritshme.

  • Demonstrojnë lidership, kreativitet dhe përgjegjësi profesionale në inovimin e proceseve të automatizimit dhe integrimin e IA& ML dhe cloud computing në sistemet adaptive të kontrollit.

  • Përdorin teknologjitë e IoT dhe Industrisë 4.0 për monitorim në kohë reale, analiza parashikuese dhe vendimmarrje në infrastrukturat e automatizuara.

  • Bashkëpunojnë në mënyrë efektive në ekipe ndërdisiplinare dhe multikulturore, duke marrë përgjegjësi etike dhe profesionale për rezultatet e projekteve dhe ndikimin e tyre shoqëror.

  • Angazhohen në mësim gjatë gjithë jetës dhe zhvillim të vazhdueshëm profesional për të qëndruar në hap me zhvillimet në automatikë, robotikë, IoT, IA dhe energji të qëndrueshme.

  • Demonstrojnë kompetenca analitike, menaxheriale dhe kërkimore të nevojshme për studime doktorale (Niveli 8) ose për pozita udhëheqëse në industri teknologjike, qendra kërkimore dhe sektorë të prodhimit inteligjent.

 

Kriteret e Pranimit

Pranimi i studentëve në programin Master në Elektronikë, Automatikë dhe Robotikë zhvillohet në përputhje me Statutin e Universitetit të Prishtinës dhe rregulloret për studimet master.
Thirrjet publike shpallen në faqet zyrtare të UP-së dhe FIEK-ut, zakonisht dy herë në vit – në korrik dhe shtator. Departamentet përcaktojnë lëndët e përfshira në provimin pranues, i cili zakonisht përbëhet nga tre deri në pesë lëndë të nivelit bachelor. Rezultatet publikohen brenda dy deri në tre ditëve, dhe kandidatët kanë të drejtë ankese brenda tre ditëve nga publikimi. Komisioni për publikimin e rezultateve emërohet nga FIEK-u.

Skema e Vlerësimit:

Përzgjedhja e kandidatëve bazohet në një sistem prej 100 pikësh, të ndarë si vijon:
– Performanca akademike në studimet bachelor: deri në 30 pikë

– Rezultatet e provimit pranues: deri në 70 pikë.

Provimi pranues përfshin edhe një komponent të gjuhës angleze që përbën deri në 10% të totalit të pikëve. Kandidatët që posedojnë certifikata ndërkombëtare të gjuhës angleze si TOEFL (≥70) ose IELTS (≥5.5) fitojnë automatikisht 5 pikë, ndërsa pikë shtesë mund të jepen bazuar në performancën në pjesën e gjuhës angleze të provimit.
Aplikantët që kanë përfunduar arsimin e mëparshëm jashtë Kosovës duhet të plotësojnë kërkesat përkatëse sipas Statutit të Universitetit të Prishtinës dhe të kenë diplomë bachelor ose ekuivalente të njohur nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT).

 

Kriteret e Notimit

Të gjitha njësitë akademike të Universitetit të Prishtinës zbatojnë të njëjtën shkallë vlerësimi për arritjet e studentëve:

10 – Shkëlqyeshëm

9 – Shumë mirë

8 – Mirë

7 – Mjaftueshëm mirë

6 – Mjaftueshëm

5 – nuk kalon

Një student e përfundon me sukses një lëndë nëse arrin notën së paku 6 (mjaftueshëm). Vlerësimi në secilën lëndë mund të përfshijë një ose disa nga komponentët vijues: provimin përfundimtar, provime ndërmjetëse ose kuize, punë projekti ose detyra laboratorike, si dhe pjesëmarrjen dhe angazhimin në orë.

Sigurimi i Cilësisë

Korniza gjithëpërfshirëse e sigurimit të cilësisë zbatohet për të garantuar që programi MSc në Elektronikë, Automatikë dhe Robotikë ruan standarde të larta akademike dhe përmirësim të vazhdueshëm.

Vlerësime të rregullta të brendshme dhe të jashtme realizohen për të vlerësuar cilësinë e mësimdhënies, arritjet e studentëve dhe efektivitetin e programit. Rezultatet e këtyre vlerësimeve përdoren në mënyrë sistematike për të përmirësuar strukturën e programit, rezultatet e të nxënit dhe metodologjitë mësimore.

Feedback-u i studentëve, i mbledhur përmes vlerësimeve të kurseve dhe anketave, luan rol qendror në zhvillimin e vazhdueshëm të kurrikulës dhe mjedisit akademik. Për më tepër, përfshirja e vazhdueshme e palëve të interesuara — duke përfshirë punëdhënësit, ish-studentët dhe përfaqësuesit e industrisë — siguron që programi të mbetet i ndjeshëm ndaj trendeve teknologjike dhe kërkesave të tregut të punës në zhvillim.

Programi i përmbahet parimeve dhe standardeve të përcaktuara nga Shoqata Evropiane për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) dhe Zona Evropiane e Arsimit të Lartë (EHEA). Këto korniza garantojnë që rezultatet e të nxënit, metodat e vlerësimit dhe cilësia akademike të jenë në përputhje me praktikat më të mira evropiane, duke promovuar transparencën, llogaridhënien dhe krahasueshmërinë me institucionet e tjera të akredituara në mbarë Evropën.

Pagesat për shkollim

Studimet në FIEK janë pa pagesë për të gjithë studentët e rregullt që ndjekin me sukses programet dyjeçare (Master) dhe nuk përsërisin asnjë vit gjatë studimeve.

Në rast se studenti nuk arrin të kalojë në vitin vijues dhe duhet ta përsërisë vitin akademik, atëherë aplikohet pagesa semestrale prej 150 euro, përkatësisht 300 euro/për vit akademik.Top of Form

 

Syllabuset per programin Elektronikë, Automatikë dhe Robotikë - Syllabuset

MSc_Electronike, Automatike dhe Robotike
Publikuar me: 23/04/2023 Shkarko
1.2 _MSc_EAR_Syllabuset__2024-2027
Publikuar me: 27/10/2025 Shkarko