Teknologjite e Informacionit dhe Komunikimit

Informata të përgjithshme për programin e studimit: Teknologjitë e Informacionit dhe Komunikimit (TIK) MSc

Permbledhje e Programit

Misioni, objektivat dhe administrata

Misioni

Programi Master në Teknologjitë e Informacionit dhe Komunikimit (TIK) në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK), Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, synon të përgatisë profesionistë dhe studiues me njohuri të thella dhe aftësi të avancuara në fushën e TIK-ut. Programi është ndërtuar për të integruar aspektet teorike dhe praktike të komunikimeve moderne, rrjeteve të avancuara, përpunimit të sinjaleve dhe inovacionit digjital, me qëllim që të diplomuarit të jenë të gatshëm për të kontribuar në zhvillimin shkencor, teknologjik dhe ekonomik të vendit.

Misioni i programit është në përputhje të plotë me misionin institucional të Fakultetit dhe Universitetit, duke ofruar arsim cilësor, kërkim shkencor të orientuar drejt inovacionit, dhe zhvillimin e kompetencave që i përgatisin kandidatët për tregun e punës dhe për vazhdimin e studimeve doktorale. Në këtë mënyrë, programi kontribuon drejtpërdrejt në përgatitjen e gjeneratave të reja të inxhinierëve dhe hulumtuesve që do të udhëheqin transformimin digjital dhe zhvillimin e qëndrueshëm në Kosovë dhe rajon

Objektivat

Programi Master në Teknologjitë e Informacionit dhe Komunikimit në UP/FIEK është krijuar për t’i pajisur studentët me njohuri të avancuara dhe aftësi të thelluara në fushën e TIK-ut, duke përfshirë aspektet e komunikimeve digjitale, rrjeteve të avancuara, sigurisë së informacionit, përpunimit të sinjaleve, dhe sistemeve inteligjente të komunikimit. Përveç njohurive teknike, programi vë theks të veçantë në zhvillimin e aftësive të kërkimit shkencor, mendimit kritik, inovacionit dhe udhëheqjes profesionale. Me këtë qasje gjithëpërfshirëse, studentët përgatiten të udhëheqin zhvillimet teknologjike, të kontribuojnë në projektet kërkimore ndërkombëtare dhe të avancojnë në karrierë akademike ose industriale.

Pas përfundimit të programit, të diplomuarit do të jenë në gjendje të demonstrojnë njohuri të thelluara dhe kompetenca të avancuara në projektimin, menaxhimin dhe optimizimin e sistemeve të komunikimit, rrjeteve dhe shërbimeve të informacionit, si dhe të kontribuojnë në zhvillimin e zgjidhjeve teknologjike inovative që rrisin efikasitetin, sigurinë dhe qëndrueshmërinë e sistemeve digjitale.

Objektivat e programit bazohen në misionin e Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike dhe kanë për qëllim:

 

  • Zhvillimin e njohurive të avancuara teorike dhe praktike në fushat e komunikimeve pa tela, rrjeteve të integruara, përpunimit të sinjaleve digjitale, cloud computing dhe sigurisë kibernetike.

  • Aftësi për kërkim shkencor dhe inovacion, duke aplikuar metoda analitike dhe eksperimentale për të zhvilluar zgjidhje të reja teknologjike në përputhje me nevojat e industrisë moderne të TIK-ut.

  • Zhvillimin e aftësive për analiza dhe dizajn sistemesh komplekse, që integrojnë teknologjitë e avancuara të informacionit, komunikimit dhe inteligjencës artificiale.

  • Aftësi për udhëheqje dhe menaxhim profesional në projekte teknologjike, kërkimore dhe zhvillimore, në kontekste shumëdisiplinore dhe ndërkombëtare.

  • Aftësi për të punuar në mënyrë të pavarur dhe bashkëpunuese, duke respektuar standardet shkencore, etike dhe profesionale të inxhinierisë dhe kërkimit.

 

Programi kontribuon drejtpërdrejt në zhvillimin e kapaciteteve kombëtare në kërkim dhe inovacion, në përputhje me strategjinë digjitale kombëtare, Agjendën Digjitale të Evropës dhe objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm (SDG). Ai përgatit profesionistë që do të luajnë rol kyç në transformimin digjital të sektorëve ekonomikë dhe shoqërorë në Kosovë dhe më gjerë.

Rezultatet e të nxënit për programin Master në Teknologjitë e Informacionit dhe Komunikimit janë përcaktuar sipas Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve (Niveli 7). Pas përfundimit me sukses të programit, studenti do të jetë në gjendje të:

 

  • Kuptojë dhe analizojë në mënyrë të thelluar konceptet teorike dhe teknologjitë e avancuara në fushën e komunikimeve, rrjeteve kompjuterike, sigurisë së informacionit dhe përpunimit të sinjaleve digjitale.

  • Zbatojë dhe zhvillojë zgjidhje komplekse teknologjike, duke përdorur metoda të avancuara të modelimit, simulimit dhe analizës së performancës së sistemeve TIK.

  • Kryejë kërkime shkencore të pavarura, duke formuluar hipoteza, mbledhur dhe analizuar të dhëna, dhe duke interpretuar rezultatet në përputhje me standardet akademike ndërkombëtare.

  • Demonstrojë aftësi për të projektuar dhe menaxhuar sisteme të mëdha komunikimi, duke optimizuar burimet, performancën dhe sigurinë.

  • Përdorë mjetet moderne të inxhinierisë dhe analizës, për të zgjidhur probleme komplekse në fushën e TIK-ut dhe për të zhvilluar teknologji të reja.

  • Komunikojë në mënyrë profesionale dhe akademike, duke prezantuar qartë idetë, rezultatet dhe zgjidhjet teknike për audienca profesionale dhe kërkimore.

  • Vlerësojë ndikimin etik, ligjor dhe shoqëror të teknologjive të informacionit dhe komunikimit, duke promovuar parimet e zhvillimit të qëndrueshëm dhe sigurisë digjitale.

  • Demonstrojë aftësi për të udhëhequr ekipe kërkimore dhe zhvillimore, si dhe për të bashkëpunuar në projekte ndërkombëtare dhe ndërdisiplinore.

  • Ndjekë dhe përvetësojë zhvillimet më të fundit teknologjike, duke ushtruar të nxënit e vazhdueshëm dhe zhvillimin profesional gjatë gjithë jetës..

 

Administrimi i programit

Programi Master në TIK administrohet nga Departamenti i Telekomunikacionit në FIEK dhe miratohet në përputhje me nenet 100–102 të Statutit të Universitetit të Prishtinës. Komisioni i Studimeve i Fakultetit mbikëqyr përgatitjen, rishikimin dhe përmirësimin e kurrikulës, ndërsa Këshilli i Fakultetit dhe Senati i Universitetit miratojnë përfundimisht programin. Zbatimi i tij monitorohet nga strukturat drejtuese të FIEK (Dekani, Prodekanët, Koordinatori për Zhvillim Akademik dhe Zyra e Cilësisë), në bashkëpunim me industrinë e TIK-ut për të siguruar që përmbajtja e programit reflekton kërkesat reale të tregut.

Strukturat drejtuese të Fakultetit kanë përgjegjësinë për organizimin e procesit mësimor, kërkimin shkencor, sigurimin e cilësisë dhe provimet për vlerësimin e studentëve. Për më tepër, Përgjegjësi i Departamentit është përgjegjës për sigurimin e mbarëvajtjes së procesit mësimor në nivel departamenti. Statuti i Universitetit të Prishtinës dhe Rregulloret e Fakulteteve për Organizimin e Proceseve Akademike janë të disponueshme publikisht në faqen e internetit të Universitetit dhe lehtësisht të aksesueshme për të gjithë.

Disa rregullore dhe procedura drejtojnë proceset akademike të Universitetit. Një prej tyre është rregullorja për zhvillimin, rishikimin dhe miratimin e kurrikulave të reja. Kjo rregullore përshkruan procedurat dhe kërkesat që duhet të plotësohen përpara se të prezantohet ndonjë kurrikul e re ose të ndryshohet ndonjë kurrikul ekzistuese. Për më tepër, Universiteti ka një rregullore për vlerësimin dhe përparimin e studentëve gjatë studimeve të tyre, e cila ofron udhëzime për përcjelljen dhe vlerësimin e përparimit akademik të studentëve.

Universiteti ka rregullore dhe procedura specifike për tezat e diplomës BSc dhe MSc. Këto rregullore përcaktojnë kërkesat dhe kriteret që duhet të plotësojnë studentët kur shkruajnë tezat e tyre dhe ofrojnë udhëzime për vlerësimin dhe notimin e tyre. Duke iu përmbajtur këtyre rregulloreve dhe procedurave, Universiteti i Prishtinës siguron që programet e tij akademike të përmbushin standardet më të larta dhe t'u ofrojnë studentëve njohuritë dhe aftësitë që u nevojiten për të pasur sukses në fushat e tyre të zgjedhura.

Kriteret e Pranimit

Pranimet e reja të studentëve në UP ndjekin rregulloret që janë të bazuara në Statutin e UP-së. Njoftimet publike bëhen në ueb faqen e UP dhe ueb faqen e FIEK. Për lëndët për provimin pranues vendos departamenti përkatës në FIEK. Rezultatet zakonisht publikohen brenda 2-3 ditëve.

Kandidatët kanë të drejtë ankimimi brenda 3 ditëve. Komisioni për shpalljen e rezultateve është formuar nga FIEK. Kriteret e aplikimit dhe regjistrimit për studimet Maser publikohen në faqen e UP-së në dy thirrje, zakonisht në korrik dhe shtator. 

Përzgjedhja e studentëve për t'u regjistruar në programet e studimit në FIEK u bazua në tre kritere: Nota mesatare gjatë studimeve bachelor (30%), pikët e provimit pranues (70%) ku përfshihen pjesa e provimit nga lëndët profesionale (60%) dhe gjuha angleze (10%).

Kriteret e Vlerësimit

Të gjitha njësitë akademike të Universitetit të Prishtinës zbatojnë shkallën e mëposhtme të notimit për të vlerësuar arritjet e studentëve:

  • 10 dhe 9 – Shkëlqyeshëm (Excellent)

  • 8 – Shumë mirë (Very Good)

  • 7 – Mirë (Good)

  • 6 – Mjaftueshëm (Sufficient)

  • 5 – Pamjaftueshëm (Insufficient/Fail)

Studenti e përfundon me sukses një lëndë kur arrin së paku notën 6 (Mjaftueshëm).

Vlerësimi në secilën lëndë mund të përfshijë një kombinim të:

  • Provimit final

  • Provimeve gjatë semestrit ose kuizeve

  • Punës projektuese ose detyrave laboratorike

  • Pjesëmarrjes dhe angazhimit në ligjërata

 Shpërndarja e saktë e pikëve ndërmjet këtyre komponentëve përcaktohet në syllabus-in e secilës lëndë, por të gjitha lëndët ndjekin të njëjtën shkallë notimi të Universitetit të paraqitur më sipër.

Rezultatet e pritshme të të nxënit për programin BSc në Teknologjitë e Informacionit dhe Komunikimit

Rezultatet e të nxënit për programin Master në Teknologjitë e Informacionit dhe Komunikimit janë përcaktuar në përputhje me misionin e Universitetit të Prishtinës, strategjinë e Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK), dhe Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve (KKK – Niveli 7).

Këto rezultate synojnë zhvillimin e aftësive të avancuara teorike, kërkimore dhe profesionale që i mundësojnë të diplomuarve të kontribuojnë në zhvillimin e shkencës, inovacionit dhe transformimit digjital në sektorin e TIK-ut.

1. Njohuri

  • Zotërojë njohuri të thelluara teorike dhe praktike në fushën e teknologjive të informacionit dhe komunikimit, përfshirë sistemet e avancuara të komunikimit, rrjetet pa tela, përpunimin e sinjaleve, cloud computing, sigurinë e informacionit dhe inteligjencën artificiale të aplikuar në TIK.

  • Kuptojë konceptet e avancuara të analizës, modelimit dhe dizajnit të sistemeve të komunikimit dhe rrjeteve të integruara.

  • Ketë njohuri të specializuara për metodologjitë kërkimore, për analizimin e problemeve komplekse dhe zhvillimin e zgjidhjeve inovative në fushën e TIK-ut.

  • Kuptojë parimet e zhvillimit të qëndrueshëm, aspektet etike, ligjore dhe shoqërore të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.

  • Njohë tendencat bashkëkohore dhe zhvillimet shkencore në fushat e komunikimeve, rrjeteve dhe sistemeve të integruara.

2. Aftësi

  • Analizojë, projektojë dhe optimizojë sisteme të komunikimit dhe rrjete komplekse duke përdorur metoda të avancuara teorike, algoritme inxhinierike.

  • Zhvillojë kërkime të pavarura shkencore, duke formuluar hipoteza, mbledhur dhe analizuar të dhëna, dhe duke interpretuar rezultatet në mënyrë kritike.

  • Aplikojë njohuritë teorike në kontekste profesionale, për të zhvilluar dhe testuar zgjidhje inovative në fushën e TIK-ut.

  • Përdorë teknika të avancuara të programimit dhe përpunimit të sinjaleve për modelimin dhe zhvillimin e sistemeve të reja të komunikimit.

  • Vlerësojë performancën dhe sigurinë e sistemeve të komunikimit, rrjeteve kompjuterike dhe platformave të cloud computing.

  • Komunikojë në mënyrë efektive dhe profesionale, me gojë dhe me shkrim, përmes raporteve teknike, prezantimeve dhe publikimeve kërkimore.

3. Kompetenca

  • Aftësi për të udhëhequr dhe menaxhuar ekipe kërkimore ose profesionale në zhvillimin e projekteve teknologjike dhe shkencore në fushën e TIK-ut.

  • Përgjegjësi të plotë profesionale dhe etike, në proceset e analizës, projektimit dhe menaxhimit të sistemeve të informacionit dhe komunikimit.

  • Aftësi për të punuar në mënyrë të pavarur dhe bashkëpunuese në mjedise shumëdisiplinore dhe ndërkombëtare.

  • Aftësi për të vlerësuar ndikimin e teknologjive të TIK-ut në ekonomi, mjedis dhe shoqëri, duke promovuar përdorimin e qëndrueshëm dhe të sigurt të tyre.

  • Kompetencë për të ndjekur dhe përvetësuar zhvillimet e reja teknologjike, përmes të nxënit të vazhdueshëm gjatë gjithë jetës.

  • Aftësi për të kontribuar në politikëbërje, standardizim dhe zhvillim strategjik në fushën e teknologjive të informacionit dhe komunikimit.

Pagesat për shkollim

Studimet në FIEK janë pa pagesë për të gjithë studentët e rregullt që ndjekin me sukses programet dyjeçare (Master) dhe nuk përsërisin asnjë vit gjatë studimeve.

Në rast se studenti nuk arrin të kalojë në vitin vijues dhe duhet ta përsërisë vitin akademik, atëherë aplikohet pagesa semestrale prej 150 euro, përkatësisht 300 euro/për vit akademik.Top of Form

 

Syllabuset per programin Teknologjite e Informacionit dhe Komunikimit - Syllabuset

MSc_Teknologjite e Informacionit dhe Komunikimit
Publikuar me: 23/04/2023 Shkarko
Katalogu i programit MSc ne ICT
Publikuar me: 23/04/2023 Shkarko
1.2 .TIK_MSc_Syllabuset Shqip
Publikuar me: 27/10/2025 Shkarko