Prej më shumë se 100 ekipeve përfaqësuese të Universiteteve të ndryshme nga 12 shtete në mbarë botën morën pjesë në garën e robotikës e cila organizohet nga “NXP semiconductor”, kompani kjo e cila është njëra prej prodhuesve më të mëdhenjë të sistemeve mikroprocesorike.
Në këtë garë studentët e shkëlqyer të FIEK-ut arritën të rreshtohen në vendin e katërt (4-të) me vetëm 0.08s larg vendit të tretë (3-të) në finalen e mbajtur në Bukuresht, Romani! Përfaqësim dinjitoz i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe shtetit të Republikës së Kosovës.
Përkundër vështirësive që kanë hasur me mosnjohjen e pasaportave nga shteti i Romanisë, rezultati i tyrë ishte ai i cili bëri që flamuri i Kosovës të ngritet në skenë. Kjo dha të kuptohet se kur studentëve tanë ju ipet mundësia, ata janë në gjendje të tregojnë kualitetin dhe nivelin e lartë që posedojnë. Ekipi nga FIEK-u arriti të përfundoj me sukses garën dhe me një diferencë shumë të ngushë me ekipet fituese.
Arritja e radhës nga FIEK-u vie nga programi i studimit i nivelit Mastër “Elektronik, Automatikë dhe Robotikë”.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi shpërbleu me mirënjohje profesorin Lavdim Kurtajn, i cili ka qenë trajner i studentëve gjatë garës.
Ndërkaq, dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Isak Shabani, u shpreh i kënaqur me suksesin e studentëve dhe tha se janë duke punuar vazhdueshëm në përgatitjen e studentëve profesionistë.
Përgëzojmë studentët Gentrit Fejza, Arbnor Shabani, Fatlum Telaku dhe profesorin Prof. Lavdim Kurtaj për punën e palodhshme që kanë bërë për të arritur këtë sukses. Njëherit, përgëzojmë menaxhmentin e FIEK-ut për përkrahjen në mbulimin e shpenzimeve për pjesëmarrje.
https://uni-pr.edu/page.aspx?id=1,37,2114