Fjala e Dekanit Prof. Dr. Isak Shabani me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2024/25

16 Shtator 2024
SHARE

Është kënaqësi e veçantë dhe privilegj për mua, që sot në emër të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK) t‘ju dëshiroj mirëseardhje në fakultetin tonë dhe tuajin në ceremoninë e fillimit të vitit të ri akademik 2024-2025 të gjithë studentëve të vitit të parë, me të cilët do të jemi së bashku nga sot e deri në diplomimin tuaj.

FIEK është pjesë integrale e Universitet të Prishtinës "Hasan Prishtina" (UP). UP si i pari dhe më i madhi universitet publik në tregun e dijës në Kosovë, që në themelimin e tij është konceptuar si universitet i lidershipit, rezistencës dhe zhvillimit të vazhdueshëm.

UP çdo herë ka ditur që në krye t’i paraqet konceptet akademike bashkëkohore, duke zhvilluar mësimdhënien, kërkimet shkencore për të përgatitur dhe kualifikuar studentët për të ardhmen e tyre dhe të ardhmen e vendit.

FIEK ka orientim në model kombëtar dhe ndërkombëtar të një fakulteti me arsimim të integruar, bashkohorë dhe inovativ, ku praktika plotëson teorinë, ku zhvillohen aftësi profesionale, hulumtuese për të mirën e shoqërisë.

Fakulteti ynë përbëhet nga 6 Departamente:

  • Departamenti i Automatikës së Kompjuterizuar me Robotikë,
  • Departamenti i Elektroergjetikës,
  • Departamenti i Elektronikës,
  • Departamenti i Inxhinierisë Kompjuterike,
  • Departamenti i Telekomunikacionit dhe
  • Departamenti i lëndëve bazike.

Kosova është vend i të rinjve i orientuar tërësisht kah Bashkimi Evropian, drejt vlerave perëndimore,  që po kalon një tranzicion kritik, por  një vend ku shkenca dhe hulumtimi duhet të jetë një rrugë drejt përparimit njerëzorë.

Të dashur studentë!

Jemi shumë falënderues, që ju dhe familjet tuaja na e keni besuar formimin tuaj profesional dhe akademik, me një fjalë na e keni besuar përgatitjen për të ardhmen tuaj!

Kjo ditë është e rëndësishme jo vetëm për JU por edhe për të gjithë NE, sepse Ju sot po e filloni një etapë shumë të rëndësishme të jetës suaj.

Përgatitjen tuaj profesionale që do t’ ju shërbejë gjithë jetën, dhe këtë po e bëni me ne. Ne Ju falënderojmë që e keni zgjedhur fakultetin tonë për të ndërtuar karrierën tuaj, dhe unë po ju them se JU KENI BËRË ZGJEDHJEN E DUHUR!

Studimet janë një ëndërr, dhe ju sot po e filloni atë, janë disa gjëra që ju duhet t’ i dini: duhet të dini se rruga e suksesit nuk është e lehtë, duhet shumë punë mund e sacrifice dhe më kryesorja është se duhet të jeni këmbëngulës.

Për të qenë më afër Tregut të Punës, Fakulteti ynë ka arritur disa marrëveshje me kompani private dhe publike dhe organizata jo-qeveritare e partnerë seriozë, tregu i të cilëve ka nevojë për profesionalizmin tuaj.

Besimi që kanë partnerët tanë vendor dhe ndërkombëtar, na bëjnë neve që të jemi më të sigurt për të ardhmen tuaj dhe për punën që do bëjmë se bashku.

Andaj, bashkërisht, ju dhe stafi ynë akademik, tejet i motivuar dhe përkushtuar, DO TË PUNOJMË FORTË, që ju të merrni më të mirën, gjatë viteve të studimit. Mirëpo, ju duhet të keni durimin dhe kurajon, jo vetëm për të studiuar, por edhe për të hulumtuar, analizuar dhe gjykuar dukuritë e ndryshme inxhinierike.

Pra, nga ju kërkohet punë, angazhim, studim me përkushtim sepse vendi ynë ka shumë nevojë për ekspertizën tuaj, profesionale dhe akademike, në të ardhmen!

Motoja “Studenti në qendër të vëmendjes” do të shërbej për personelin akademik dhe administrativ që fokusi për Studentët të jetë në ofrimin e shërbimeve të shpejta, lehtësimin e procedurave administrative, mësimdhënie të avancuar dhe vlerësim i vazhdueshëm.

Për të gjithë ju që jeni regjistruar në cilindo nga drejtimet dhe programet studimore që ofron Fakulteti ynë, zotohemi se do të punojmë me përkushtim për t’ju përgatitur e aftësuar profesionalisht dhe për t’ju bërë të aftë për konkurrim dinjitoz në tregun vendor dhe ndërkombëtar të punës.

Prandaj, unë dua t’ ju porosis se pavarësisht drejtimit që ju keni zgjedhur, një gjë ka rëndësi: që profesionit t’i qaseni me përkushtim e dashuri!

Urime, shëndet dhe suksese, na priftë e mbara!


Dekani,
Prof. Dr. Isak Shabani