Ish-studentja e UP-së në listën e ngushtë për çmimin global „Cybersecurity Women of the Year 2025”

22 Maj 2025
SHARE

Dredhza Braina, që kreu studimet themelore në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të Universitetit të Prishtinës dhe ka hyrë në listën e ngushtë për çmimin global „Cybersecurity Women of the Year 2025”, i porositi studentët e UP-së që të guxojnë të ëndërrojnë. 

„Për të gjithë studentët që sot janë duke ndjekur rrugën e teknologjisë, veçanërisht në fushat kaq dinamike si siguria  kibernetike, vazhdoni të mësoni me përkushtim dhe kuriozitet të vazhdueshëm. Besoni në aftësitë tuaja, shfrytëzoni çdo mundësi për të mësuar dhe për t’u zhvilluar dhe mos kini frikë të provoni gjëra të reja që burojnë nga idetë, sepse e ardhmja u takon atyre që guxojnë”, tha ajo.

Ish-studentja e UP-së nuk ka harruar ku i mori hapat e parë të dijes akademike. „Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike ka qenë themeli mbi të cilin kam ndërtuar rrugëtimin tim profesional. Ëndrrat më të mëdha shpesh fillojnë në bankat e këtij fakulteti. Përmes ketij institucioni, jo vetëm që fitova njohuritë teknike të nevojshme për një karrierë në fushën e teknologjisë dhe sigurisë kibernetike, por mbi të gjitha, mësova të mendoj kritikisht, të punoj me përkushtim dhe të besoj në potencialin tim”, shpjegoi Dredhza Braina.


Braina, hyrjen në listën e ngushtë për çmimin global „Cybersecurity Women of the Year 2025”, e ka cilësuar „vlerësim për dashurinë ndaj profesionit, për kuriozitetin që nuk shuhet kurrë dhe për dëshirën e madhe për të bërë një ndryshim real. Ajo më tutje ka treguar se siguria kibernetike për të nuk është thjesht punë, por „pasion, mision dhe mënyrë për të kontribuuar në një botë më të sigurt digjitale”. 


E diplomuara në vitin 2023 në FIEK, që aktualisht punon për një kompani amerikane, ka falënderuar organizatorët për përzgjedhjen e saj në listën e ngushtë dhe për dhënien e përvitshme të çmimit „Cybersecurity Women of the Year”.
Çmimi prestigjioz ndahet nga United Cybersecurity Alliance, një organizatë që ka për qëllim të bëjë bashkë komunitetin botëror të sigurisë kibernetike dhe të ofrojë një platformë për gratë e vajzat e përfshira në këtë fushë që të përgatiten, të zhvillojnë aftësitë dhe të krijojnë përvojë për karrierë të qëndrueshme.  


Fituesja e çmimit „Cybersecurity Women of  the Year 2025” do të shpallet javëve në vijim në një mbrëmje festive në Las Vegas të ShBA-së. 

Çmimet "Gruaja e vitit në sigurinë kibernetike 2025" - YouTube